Oz dhe pozita e tij në rrjetin e serialeve “underground”.

admin December 25, 2017 Views 28

I transmetuar që prej vitit 1997 deri në 2003, Oz është një prej serialeve më të arrirë të krijuar nga televizioni amerikan dhe mban akoma sot një pozitë të veçantë tek ai grup i vogël ndjekësish që e konsideron kult dhe me rëndësi të veçantë.
Oz trajton jetën në një burg te sigurisë së lartë në SHBA, e cila përmban në të dhjetra personazhe të ndryshëm nga njëri-tjetri, të gjithë me historitë e tyre dhe me mënyrën e mbijetesës në xhunglën që janë detyruar ta quajnë shtëpi. Personazhet e Oz janë disa prej personazheve më tre dimensionalë që unë personalisht kam hasur në të gjithë serialet që kam parë. Nuk ka personazhe bardhë e zi, ku tiparet e së mirës dhe të keqes priten me thikë. Aspekti moral i tyre është gri, dhe arsyet e kësaj janë përvojat, historiku dhe marrëdhëniet që kanë me njëri-tjetrin. Gjatë shtjellimit të serialit të gjithë pësojnë shndërrime në karakter, duke evoluar për t’u përshtatur paralelisht me mjedisin. Dhe nuk është ekzagjërim, por është një nga pikat më të forta të serialit. Sigurisht që i gjithë ky kapacitet personazhesh nuk do ishte shumë i rëndësishëm nëse nuk do gjenim një lloj paralelizmi me problemet shoqërore të një komuniteti normal jashtë burgut. Kjo na sjell tek aspekti i dytë më i fuqishëm i Oz, pra krahasimi i ngjarjeve brenda në burg me një shoqëri të zakonshme. Për këtë ndihmon mënyra e strukturimit të çdo episodi, ku Augustus Hill, një prej të burgosurve, shërben edhe si narrator për shikuesin, duke përdorur metodën e thyerjes së murit të katërt (duke i folur audiencës në mënyrë të drejtpërdrejtë ) dhe komedinë e errët. Mund të jetë deri diku një element eksperimentues për llojin e serialit por funksionon në dhënien e mesazhit.
Arsyeja se pse e kam quajtur serial “underground” është sepse Oz bën pjesë në treshen e serialeve dramë/krim që kanë shërbyer si paraardhës për seriale më të njohur të transmetuar gjatë viteve 2000 dhe 2010. Dy serialet e tjerë janë The Wire dhe The Sopranos, të cilët kanë një masë më të madhe njohjeje. Fatkeqësisht Oz është lënë në hije nga The Sopranos duke qenë se të dy janë transmetuar afërsisht në të njëjtat shtrirje kohore, por rëndësia që ka dhe impakti për brezin e serialeve të rinj nuk duhet lënë pas dore.

POSTIMI I MARRE NGA PINKMAN TE GJITHA TE DREJTAT I SHKOJNE ATIJ.

Categories

Ler nje koment

Emri juaj *
Emri qe do shfaqet
Email i juaj *
Emaili juaj nuk do te shperndahet
Website i juaj