Pirates of the Caribbean : Dead Men Tell No Tales (2017) – Review

admin January 6, 2018 Views 462

A e mbani mend filmin e parë të françizës së “Pirates of the Caribbean”? Nëse po, nguleni fort në memorien tuaj, pasi nuk keni për t’i përjetuar më ato emocione. Filmi i vitit të kaluar është i shëmtuar si flokët e Salazar-it dhe nuk krahasohet aspak me botën e piratëve të filmit të parë.

Fillimisht mendohej se do të kishte ndryshime pozitive. Së pari sepse regjia nuk do të ishtë më nën drejtimin e Rob Marshall, i cili nuk arriti të kënaqte publikun me filmin e katërt që u konsiderua një dështim si nga fansat, ashtu dhe nga kritikët. Së dyti, futja e personazheve të rinj do të rigjallëronte me shumë mundësi magjinë e humbur me filmin e 4-t. Si përfundim doli një histori që nuk surprizoi përkundrazi, shkatërroi gjithë shpresat për një rikthim të fuqishëm të piratëve dhe të Jack Sparrow-ut në veçanti.

Shkaku kryesor është skenari. Një skenar që është jo konçiz, pa origjinalitet dhe me skena të kota që nuk i shërbejnë aspak historisë. Për më tepër, skenat janë imitime të shëmtuara dhe nuk shkaktojnë asnjë ndjesi të veçantë te shikuesi. Madje pa dashur kthehen dhe në skena qesharake jo të dëshiruara.

Pas skenarit vijnë afrimet e reja. Kush ka parë filmin bie dakord se aktorja që luan rolin e vajzës së Barbosa-s nuk e ka vendin në aktrim, por te faqet e revistës “Playboy” ose gjëkundi. Ndërsa i riu Turner ka pak ose aspak lidhje me historinë që zhvillohet, pa shtuar këtu defiçencën në aktrim. I vetmi funksion që ka, është ai i rolit të partnerit në çiftin që me shumë mundësi do jetë në qendrën e sequel-it të ardhshëm. Për të mos folur për Jack-un e ri, i cili qe i panevojshëm dhe e dëmton më tej filmin, pasi dhe aty aktrimi lë për të dëshiruar. I vetmi afrim i rëndësishëm është ai i Javier Bardem-it, por për fat të keq nuk mundi të shpëtonte filmin. Kurse Depp nuk mund të bënte shumë, pasi dhe ai po përjeton një moment të keq në karrierë dhe jetë. Prej kohësh është kthyer në një aktor të plogësht dhe me raste bëhet dhe qesharak. Çfarë ka positive ky film? Muzikën dhe efektet speciale (për t’u diskutuar në disa raste), por kaq nuk mjafton.

“Pirates of the Caribbean” ka zënë myk prej kohësh dhe është kthyer në një “shtrydhëse” parash e asgjë më tepër. Arsyeja pse vazhdohet të bëhen sequel-a është pikërisht se françiza arrin të vjelë para në mënyrë efikase nga xhepat e atyre fansave që shpresojnë së koti se kohërat e arta të Jack Sparrow-ut do të kthehen.

Për ta mbyllur se nuk ia vlen barra qeranë, është një ndër filmat më të dobët të vitit që lamë pas. E vetmja mënyrë për t’i shkuar filmit deri në fund është të mos presësh asgjë. Kompeticioni i vetëm në të cilin merr pjesë është ai i filmit më të shëmtuar i të gjithë françizës, ku konkurron denjësisht me filmin e 4-t. Fakti që ka pasur një degradim të vazhdueshëm të historisë na bën skeptikë mbi sequel-in e ardhshëm. Argëtues vetëm për fëmijë -15.

2/10

Categories

Ler nje koment

Emri juaj *
Emri qe do shfaqet
Email i juaj *
Emaili juaj nuk do te shperndahet
Website i juaj